Qëllimi i kësaj faqe interneti është të informojë publikun në lidhje me aktivitetet e AA Shqiptar.
AAPAA u krijua në vitin 2009 me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1020, datë 14.10.2009. Të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë për AA dalin nga rregulloret e IPA I dhe IPA II, të cilat janë parashikuar në kuadrin ligjor kombëtar me miratimin e Marrëveshjes Kornizë për IPA I dhe Marrëveshjen Kuadër për IPA II.
Në shtator 2016 është miratuar Ligji Nr. 90/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit për Programet e Asistencës së Akredituar të BE-së në Republikën e Shqipërisë”. Agjencia është person juridik publik, buxhetor, i organizuar në formën e agjencisë autonome, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit. Agjencia e kryen veprimtarinë e pavarur nga Koordintatori Kombëtar i IPA-s, Zyrtari Kombëtar i Autorizuar, strukturat menaxhuese dhe strukturat operuese të asistencës së Bashkimit Europian.
AAPAA vepron në përputhje me kërkesat e marrëveshjeve kuadër IPA dhe marrëveshjeve të tjera sektoriale dhe / ose financuese të nënshkruara sipas marrëveshjeve kuadër.
Subjekt i auditimeve të Agjencisë janë të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, individë dhe persona juridikë privatë që përfitojnë fonde të IPA-s dhe/ose të cilëve u kërkohet të kryejnë veprimtari që rrjedhin nga financimi i IPA-s.
Veprimtaria e Agjencisë kryhet në përputhje me kërkesat e marrëveshjeve kuadër IPA dhe të çdo marrëveshjeje tjetër sektoriale dhe/ose financiare në zbatim të marrëveshjeve kuadër.
Auditimet e Agjencisë mbulojnë fushat e pajtueshmërisë, ligjshmërisë e të rregullshmërisë, menaxhimin financiar të fondeve të BE-së, si dhe ekonomicitetin, efikasitetin dhe efektivitetin e përdorimit të këtyre fondeve në përputhje me konceptet e menaxhimit të shëndoshë financiar.
Gjatë aktiviteteve të ndryshme, AA jep mendime dhe rekomandime për përmirësimin e funksionimit të organeve të ndërlidhura.
Me bashkëpunimin e partnerit tonë kryesor – Komisioni Evropian – aktivitetet tona po kontribuojnë në prioritetin kryesor të Shqipërisë, i cili është anëtarësimi në BE!